Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 11:53

Bruksel (PLOTESUAR 14:30)- Zëdhënësi i komisionerit Stefan Fyle, Peter Stano i pyetur në lidhje me përmbylljen e reformës zgjedhore në Shqipëri brenda datës së këshilluar nga komisioneri Fyle, u përgjigj se “Data 24 nuk ka mbaruar ende. Sidoqoftë koha po ecën me shpejtësi, reforma është komponent kryesor i marrëveshjes së nëntorit dhe zbatimi është element i rëndësishëm për konsolidimin e dialogut. Në këtë kontekst dhe në këtë frymë kemi inkurajuar Shqipërinë dhe liderët politikë për të përmbushur ato pak cëshje që Shqipëria duhet të përmbushë. Nuk duhet të humbasë më shumë kohë, sepse ka ende punë për të bërë, për të përmbushur 12 kriteret përpara opionit të komisionit europian”, tha ai. 

Stano, deklaroi më tej se komisoneri Fyle gjatë vizitës në Tiranë mori mbështetjen e palëve politike për përmbylljen e reformës zgjedhore, Sipas tij, është koha që ky premtim të mbahet.

***************************************

Tiranë – Seanca e radhës e Kuvendit të Shqipërisë u nis me një minutë heshtje, në nderim të viktimave të tragjedisë së Himarës. Më pas fjalën e mori kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi i cili ngriti shqetësimin e opozitës për shkeljen e afatit të ndërkombëtarëve për përmbylljen e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare.

Sipas Ruçit, shkelja e këtyre afateve ishte një emergjencë që duhet të diskutohej në seancën e sotme , ndërkohë që sipas tij “klasa politike shqiptare po voton sot kundër ftesës për statusin kandidat të vendit.” “Sot data 24 ishte një datë tjetër që ia kanë përcaktuar Shqipërisë. Na kanë thënë në mënyrë taksative se reformat duhet të bëhen para datës 24, ndryshe Shqipëria në raport me Brukselin do ketë konseguenca.”

Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Berisha, një ditë më parë, Ruçi i cilësoi spekulime fjalët e shefit të ekzekutivit se “reformat po pengohen nga teka e opozitës.” Sipas tij, opozita ka kërkuar transparencën e zgjedhjeve, ‘që është mollë e ndaluar për kryeminisrin Berisha. “Meqë kryeministri i ka përzemër rekomandimet e ODIHR-it, atje shkruhet e zezë mbi të bardhë rikompozimi i KQZ-së, që kryeminsitri bën sikur nuk e lexon.”- vijoi më tej Ruçi.

Kryetari i grupit kuvendor socialist kundërshtoi ndryshimet që sipas tij, i janë bërë rendit të ditës, duke kërkuar zhvillimin e dy interpelancave të kërkuara nga socialistët.
“Ne kemi kalendar, por shikojmë që kalendari është përmbysur. Ka një rregullore që duhet shumicë e cilësuar për ta ndryshuar kalendarin. Të zbatohet rregullorja. Në kalendar kanë qenë 2 interpelanca, të dyja janë hequr dhe është vendosur një tjetër interpelancë pa e njoftuar deputetin.” Në lidhje me tragjedinë e Himarës, Ruçi theksoi se e gjithë klasa politike duhet të nxjerrë përgjegjësitë që i takojnë.

Kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi në replikën e tij me homologun Ruci deklaroi se opozita ngatërron politikën me fatkeqësitë. Patozi u shpreh se opozita disa herë ka përdorur fatkeqësitë për qëllimet e saj, ndërkohë që do ta bëjë këtë edhe me tragjedinë e Himarës. “Kush e përdhos kodin e vdekjes mban përgjegjësi, jo vetëm politike por edhe njerëzore. Kjo vjen nga e një forcë politike që se ka bërë vetëm një herë, por ju them se politika e hienës nuk shpërblehet. E keni bërë me përmbytjen në Shkodër me Kosta Trebickën, doni ta bëni edhe me tragjedinë e Himarës”.

Duke folur për reformën parlamentare e atë zgjedhore, Patozi iu përgjigj Rucit se është opozita ajo që po i bllokon ato. “Që reformën parlamentare dhe zgjedhore ta përmbyllim sot e ka kërkuar zoti Fyle, me qëllim që të mos ta përdorni për zgjedhjen e presidentit, të gjithë e dimë që ethet presidenciale janë të forta e këto reforma dalin në plan të dytë pastaj. Ju po bllokoni reformat, ndaj nuk zbatohen rekomandimet e Fyles, për Presidentin ne i kemi votat”, tha Patozi, ndërsa ju bëri thirrje edhe njëherë të bëhen bashkë e të votojnë cështjet e miratuara në komisionin e reformës zgjedhore. (LajmeShqip.com)