Lajme Shqip Thursday, 24 May 2012 09:00

 

Tiranë – Konkursi për figurën e Ismail Qemalit, i shpallur pak kohë më parë nga Galeria Kombëtare e Arteve, do të kalojë në një fazë të dytë, ku pesë skulptorë të përzgjedhur mes njëzetë konkurrentëve do të ripropozojnë edhe një herë bocetet për këtë monument.

GKA njofton se juria e këtij konkursi ka përzgjedhur për të vazhduar konkurimin skulptorët Ilirjan Shima, Pjerin Kolnikaj, Idriz Ballani, Ardian Pepa dhe Veli Blakçori, të cilët do të propozojnë një formë të re të monumentit të Ismail Qemalit.

Ndërkohë për monumentin e Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës juria mori vendimin, i cili nuk bëhet publik, por i është lënë Komisionit Ndërministror për Festimet e 100-Vjetorit të Pavarësisë, i cili do bëjë shpalljen publike të fituesve të konkursit.

Juria e konkursit për monumentet e Qemalit, Zogut dhe Prishtinës është e përbërë nga Hektor Dule, Rubens Shima, Ali Oseku, Kaliopi Naska, Gjergj Bakëllbashi, Enton Derraj dhe Suzana Varvarica. Bocetet pjesemarrëse në konkursin kushtuar figurave historike të Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës, janë ekspozuar që prej  ditës së djeshme në sallën e ekspozitave të GKS-së. 

Pas një muaj e gjysmë, komisioni do të mblidhet sërish për të diskutuar mbi bocetet për figurën e Ismail Qemalit që do të ripropozojnë 5 artistët e përzgjedhur. Monumentet e këtyre figurave historike, pas realizimit të tyre në kudër të 100-vjetorit, do të vendosen në sheshet e kryeqytetit pas vendimit të Këshillit Bashkiak. (LajmeShqip.com)