Prishtinë -Komisionari i lartë për minoritete në OSBE, Knut Vollebaek, sot në Prishtinë, shprehu bindjen se qeveria e Republikës së Kosovës edhe më tej do të angazhohet për integrimin e minoriteteve në shoqërinë kosovare, si e vetmja rrugë e prosperitetit të Kosovës.
Në një takim me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, u diskutua për gjendjen e minoriteteve në Kosovë, me fokus të veçantë në kthimin e të zhvendosurve.
“Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, me mundësi të barabarta dhe afirmative për komunitetet”, theksoi kryeministri Thaçi. Sipas zyrës së shtypit të qeverisë, kryeministri Thaçi theksoi se “përkushtimi i institucioneve kosovare dhe rezultatet e arritura dëshmojnë më së miri se Republika e Kosovës është bërë model në rajon për respektimin e të drejtave të njeriut, duke integruar në mënyrën më afirmative të mundshme komunitetet në institucionet dhe shoqërinë kosovare”.
Kryeministri Thaçi, në takimin me Komisionerin e lartë të OSBE-së për minoritetet, tha se qeveria e Kosovës po punon vazhdimisht në inkurajimin e të gjithë të zhvendosurve për t’u kthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre. “Qeveria është e gatshme që edhe më tej të bashkëpunojë ngushtë me OSBE-në dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, për të përmirësuar pozitën e pakicave” , theksoi Thaçi.
Kryeministri theksoi se Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kritereve evropiane, dhe në këtë kuadër forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë është i një rëndësie të veçantë për integrimin e rajonit në BE dhe në NATO. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi bëri thirrje sërish që Serbia që të heqë presionin nga serbët e Kosovës dhe të kërkojë nga ta integrimin në institucionet e Kosovës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 May 2012 19:35