Tiranë -Në Çikago ka nisur Samiti i NATO-s, ku delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Berisha dhe në përbërje të tij janë zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Kryeministri Berisha gjatë pritjes zyrtare të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, në McCormick Place, zhvilloi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe Presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC).
Para nisjes së tij, u përkujtuan me një ceremoni ushtarake dhe një minutë heshtje ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës, gjatë operacioneve të Aleancës, një prej të cilëve është edhe kapiten Feti Vogli. Mbledhja e NAC (Këshillit të Atlantikut të Veriut) u hap me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, dhe fjalën përshëndetëse të Presidentit Obama. Në takim e morën fjalën një numër liderësh të vendeve anëtarë të Aleancës.
Në këtë sesion u dikutua për sfidat e sigurise globale me të cilat përballet Aleanca, nevojën për të zhvilluar dhe modernizuar kapacitetet mbrojtëse në kushtet e një krize financiare globale dhe të shkurtimit të buxheteve. Në takim u theksua nevoja për rritje të eficencës së përdorimit të burimeve nëpërmjet bashkimit të resurseve dhe menaxhimit të përbashkët te tyre.
Në takim u diskutua në lidhje me zhvillimin e doktrinës së Mbrojtjes së Zgjuar, i cili është në qendër të modernizimit të NATO si dhe sistemeve përkatëse, mbrojtjen nga rreziku i sulmeve balistike nëpërmjet vendosjes së një sistemi të përkohshëm të mbrojtjes raketore, si dhe bashkëpunimi me partnerët e Aleancës anembanë globit. Në këtë kuadër u miratuan një numër projektesh shumëkombëshe që do mundësojnë arritjen e objektivave për një NATO të vitit 2020 me forca të mirëkoordinuara, të trajnuara dhe mirëpajisura për të përballuar sfidat e shekullit XXI.
Në përfundim të sesionit, liderët e Aleancës miratuan disa nga dokumentet më të rëndësishme të Samitit. Dita e parë e Samitit të 25-të të NATO-s, që po zhvillohet në Çikago, u mbyll me darkën që Presidenti i SHBA, Barak Obama, kishte organizuar për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në Samit. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 May 2012 17:00