Preshevë – Aktivistë të Shoqërisë Civile të Luginës së Preshevës, në shenjë pakënaqësie për mos heqjen e tarifave të policave të sigurimit nga Qeveria e Kosovës, kanë vendosur një billbord në vendkalimin kufitar në Muqibabë, në të cilën është shkruar “Na kini ndimu…”
Me një transparentë të madhe “Na keni ndihmuar”, “Ju nuk jeni Kosova”, “Thaçi = Daçiq”, “40 Euro = Hashim Baba me 40 Hajduta” ishin vetëm disa nga pankartat që u ngjitën në barakën e “Byrosës Kosovare të Sigurimit” ku qytetarët e Luginës së Preshevës paguajnë sigurimin për të hyrë në Kosovë, njofton presheva.com.
Sipas tyre, vendimi për zbritjen e tarifave të policave është më se pezhorativ, ndërkohë që zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës iu kishin premtuar delegacioneve të shumta të shqiptarëve të Luginës se taksat do të hiqen tërësisht, transmeton RTK.
Vendosja e policave të sigurimit për automjetet me targa të Serbisë, ka goditur kryesisht shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës, përderisa serbët vazhdojnë të përdorin targat e vjetra të përdorura që nga koha e RSFJ-së, e për të cilat nuk paguajnë fare taksa të sigurimit.
Ndërkohë, taksat në fjalë kanë zvogëluar në më se 80 për qind lëvizjen e automjeteve në drejtim të Kosovës, duke shkaktuar dëme në ekonomi në të dyja anët e kufirit si dhe pakënaqësi e revoltë ndër qytetarët shqiptar të Luginës së Preshevës. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 May 2012 14:45