Bruksel – Kryetarët e Komisionit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, Zhoze Manuel Baroso dhe Herman van Rompuj sot dolën me kumtesë të përbashkët me rastin e zgjedhjes së Tomisllav Nikoliçit për president të ri të Serbisë.
Pas gabimit të djeshëm me kumtimin e urimit të përbashkët nga Baroso dhe Van Rompuj drejtuar Nikoliçit për zgjedhjen e tij dy orë para përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Serbi dhe paralajmërimit se deri në mbrëmje do të arrijë urimi me kohë, njerëzit e parë të Bashkimit Evropian madje para jo plot një ore dolën me kumtesën zyrtare për zgjedhjet në Serbi.
“Do të dëshironim ta urojmë Nikoliçin për zgjedhjene tij për president të Serbisë dhe t’i urojmë njerëzit nga Serbia për zgjedhjet e mbajtura më 6 dhe 20 maj, të cilat ishin të qeta dhe garuese. Ne i dëshirojmë sukses presidentit Nikoliq në zgjidhjen e sfidave që paraprijnë dhe në përgjigjen ndaj pritjeve të mëdha të popullit serb për rritjen ekonomike dhe mirëqenien. Me zgjedhjen e vet, presidenti Nikoliq bart përgjegjësi të posaçme në sigurimin e institucioneve stabile dhe funksionale në Serbi. Me padurim e presim fillimin e punës së parlamentit të ri të Serbisë dhe formim të shpejtë të Qeverisë së re”, theksohet në kumtesën e nënshkruar nga Baroso dhe Van Rompuj.
Në fund të kumtesës theksohet se perspektiva evropiane e Serbisë është mjaft konkrete dhe se për atë arsye, BE-ja shpreson se në këtë vend do të mund të mbështeten për përkushtim personal të presidentit Nikoliq në mënyrë që të arrihet ky qëllim. (LajmeShqip.com)
Monday, 21 May 2012 13:00