Lajme Shqip Monday, 21 May 2012 11:00

Prishtinë – Sot, në 100 vjetorin e Kuvendit të Junikut, në qytezën e Junikut, në perëndim të Kosovës, afër kufirit shqiptar, fillojnë veprimtaritë në kuadër të kalendarit të festimeve të vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Manifestimi qëndror me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Kuvendit të Junikut fillon në mesditë, nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa paralajmërohet edhe pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Shqipëria, si dhe e Presidentes kosovare Atifete Jahjaga.

Akademia kujtesë historike dhe gurthemeli për Memorialin e 100 vjetorit të Kuvendit të Junikut janë disa nga veprimtaritë e sotme që do vazhdojnë edhe në ditët e tjera të kësaj jave.

“Ky përvjetor paraqet njërin prej eventeve më të rëndësishme shqiptare, duke u hartuar platforma politike dhe ushtarake me disa nga ideologët më të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë, deri në shpalljen e saj”, ka deklaruar kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi, në një konferencë shtypi.

Qyteza e Junikut, rrëzë Alpeve Shqiptare, sipas historisë, ishte pjesë e Dardanisë Ilire, ndërsa viteve të fundit është një komunë e re e shtetit të Kosovës.

Në prag të festimeve që fillojnë sot, përfaqësues të institucioneve, organizatave të ndryshme, nxënës, mësues e profesorë nga Juniku si dhe një iniciativë e të rinjve në nivel vendi, zyrtarisht filluan dje aktivitetin “Ta pastrojmë Kosovën”, i cili është paraparë që në tërë Kosovën të realizohet me 24 maj.

“Pikërisht në Junik filloi kjo iniciativë për arsye se këtu nga 21 e deri me 24 maj shënohet 100 vjetori i ngjarjes historike për kombin shqiptar- Kuvendit të Junikut, që i kishte paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë”, theksojnë organizatorët e veprimtarive.

Kryetari i komunës, së bashku me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Junik, janë akorduar me udhëheqësin e iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, që pastrimi i Junikut të realizohet në të dy datat, me 20 dhe 24 maj duke pasur parasysh faktin që Juniku është në ditë feste për katër ditë me radhë.