Prishtinë -Në Kosovë po zhvillohet të dielën votimi i mundësuar nga OSBE për personat që kanë të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve për president të Serbisë.
90 vendvotimet e mundësuara nga OSBE u hapen në Kosovë në ora 07:15. “Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer.
Në njoftimin e Misionit shtohet se “OSBE iu mundëson personave me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për president të Serbisë”.
Në raundin e parë, më 6 maj, Misioni njoftonte se rreth 109.000 votues kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë që mundësohen nga OSBE.
Nga Mitrovica, media ka raportuar se Policia e Kosovës, për shkak të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë ka përforcuar praninë në veri.
“Do të kemi plan të ngjashëm sikurse më 6 maj dhe bashkë me KFOR-in e EULEX-in do të mbikëqyrim gjithë procesin në planin e sigurisë së përgjithshme. Prania e policisë do të shtohet në zonat me popullatë të përzier dhe afër vendzgjedhjeve”, citohet të ketë thënë zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 May 2012 14:39