Prishtinë (PLOTESUAR 14:30) – Ende pa rinisur dialog Kosovë – Serbi, zyrtarë të Bashkimit Evropian po paralajmërojnë një format të ri të takimeve mes shqiptarëve dhe serbëve. Ata po e presin përfundimin e zgjedhjeve serbe dhe themelimin e Qeverisë së re atje për të nisur raundet e reja mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ka përmendur një “format të ri” bisedimesh mes dy palëve pasi dialogu i deritashëm nuk ka dhënë shumë rezultate. Por, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha për median kosovare se bisedimet me Serbinë kanë përfunduar më 2007 që kanë rezultuar me shpalljen e pavarësisë.
Ai shton se me Serbinë nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh për asnjë pjesë të Kosovës, derisa ka konfirmuar se dialogu teknik duhet të vazhdojnë me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja shteteve. Udhëheqësi i diplomacisë kosovare deklaron se Qeveria e Kosovës i sheh të gjitha zgjidhjet e problemeve në Kosovë, përfshirë edhe Veriun, te zbatimi i Pakos së Ahtisaarit. “Qëndrimi i Prishtinës zyrtare është i qartë – ai është që ta jetësojmë Pakon e Ahtisaarit dhe për një dialog të brendshëm në mes të Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj në Veri”, ka thënë Hoxhaj.
Vazhdimi i dialogut Prishtinë – Beograd është kushtëzuar nga Parlamenti i Kosovës, i cili ka votuar një mocion që e ndalon bisedimet pa u zbardhur të gjithë personat e zhdukur në luftën e fundit. Megjithëkëtë, zyrtarët e Qeverisë kanë thënë se dialogu me Serbinë nuk do të vazhdojë pa u zbatuar shtatë marrëveshjet e arritura gjatë një vitit të bisedimeve që janë zhvilluar në Bruksel dhe janë lehtësuar nga BE-ja. (LajmeShqip.com)
************************************
Beograd – Pas formimit të qeverisë në Serbi, do të pasojë një format i ri i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, thotë ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav Lajçak.
Ai, megjithatë, nuk zbulon detaje të këtij koncepti, por komenton se diçka duhet të ndryshojë, në mënyrë që dialogu të jetë efektiv.
Lajçak i ka bërë këto komente për të përditshmen e Beogradit, “Veçernje Novosti”.
Vazhdimi i dialogut me Kosovën është një nga kushtet që Bashkimi Evropian ia ka vënë Serbisë, para se t’ia caktojë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim.
Serbia ka marrë tashmë statusin e kandidates për në BE, dhe një nga kriteret e plotësuara ka qene dialogu me Kosovën i zhvilluar në Bruksel, nën ndërmjetësimin e BE-së. Kosova, si shpërblim për këtë dialog, ka marrë studimin e fizibilitetit.
Dialogu aktualisht është pezulluar për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi. Ndryshe, në 9 raunde negociatash në Bruksel, janë arritur 7 marrëveshje, zbatimi i të cilave edhe më tej lë shumë për të dëshiruar, me palët që fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen e tyre. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 May 2012 10:40