Mungesa e regjisoreve femra në garë për Palmën e Artë të këtij viti në Festivalin e Filmit që po mbahet në Kanë, ka ngjallur jo pak reagim. Aktorët e Hollivudit sidomos, ata të cilët tanimë kanë mbërritur në Rivierën franceze kanë bërë thirrje për prezencë femërore pas kameras.
Me këtë rast, një natë pas çeljes së festivalit, ‘Independent Filmmaker Project’ së bashku me ‘Euphoria Calvin Klein’ kanë organizuar një mbrëmje speciale për të nderuar kontributin e femrave në kinema dhe për të bërë thirrje që të ketë më shumë regjisore femra prezente. Në këtë natë gala ishin të ftuar edhe anëtarët e jurisë Diane Kruger, Alec Baldwin, Jessica Chastain dhe Naomi Watts.
Aktorja Kruger e cila ishte e përzgjedhura e regjisorit Quentin Tarantino për “Bastardët e tij pa lavdi”, apo “Inglourious Basterds” me heret ka qenë në këtë festival si konkurrente dhe në vitin 2010 parakaloi në tapetin e kuq të këtij festivali në premierën botërore të filmit.
Kruger ka thënë se femrat janë unike në atë që krijojnë sepse ato e shohin botën me një optikë unike. “Ato kanë një tjetër këndvështrim për botën, trajtojnë të tjera kauza dhe kanë tjetër arsye për të qenë prezente ndaj edhe duhet të jenë patjetër në kinema”- ka theksuar aktorja.
Anëtari tjetër i jurisë,aktori Alec Baldwin parakaloi në tapetin e kuq këtë herë me të fejuarën e tij, Hilaria Thomas për të promovuar “Rise of the Guardians” të regjisorit Peter Ramsey i cili do të nisë projeksionin në kinena prej nëntorit. I pyetur për gratë në kinema, Baldwin ka pohuar se edhe për meshkujt është shumë e rëndësishme prezenca e femrave dhe prania e krijimeve të tyre sepse është një mundësi përballjeje.
Kjo mbrëmje e cila bëri bashkë emra të njohur të kinemasë së botës ishte një moment për të nderuar dhe kujtuar tërë kontributin e regjisoreve, aktoreve dhe producenteve të cilat kanë pasur shumë impakt në kinemanë e pavarur. Mirëpo vendimi i organizatorëve ka qenë ky, për të mos përfshirë asnjë regjisore në konkurrimin zyrtar të festivalit sepse nga përvoja e vitit 2011, 4 regjisoret në garë deklaruan se ishin kundër politikës së kuotave, çka për ta ishte kundër rregullores së festivalit. Por duket se ky vendim i organizatorëve nuk është përkrahur nga artistët të cilët në mënyrë të moderuar kanë kërkuar prezencën e regjisoreve në këtë festival.
Friday, 18 May 2012 11:04