Tetovë – Në Galerinë e Arteve në Tetovë sot do të hapet ekspozita personale e piktores Besa Ibraimi. Në këtë ekspozitë Ibrahimi do t’i paraqesë portretet ku qartë shprehet shqetësimi i sotëm, por gjithnjë duke mbajtur llogari se bota në është në përfundim.
Në këto piktura autorja paraqet karakterin psikofizik të njeriut i cili ka arritur që të përballet me sukses me sfidat të cilat i kanë dalë para tij apo ndoshta kanë qenë të përgatitura nga të tjerët.
Piktorja po ashtu prezanton portrete të grupmoshave të ndryshme dhe gati në të gjitha portretet përshkruhet qartë urtësia, mençuria e tyre e natyrshme.
Kjo më së miri përshkruhet në sytë e mëdhenj të cilët në thellësinë e tyre flasin për papajtueshmërinë me atë që është paraqitur dhe duket herë pas herë e gjykojnë edhe vetveten. Pavarësisht lodhjes, e cila të duket në shikim të parë eksploziviteti i çdo personaliteti.
Dëshmi për këtë edhe përdorimi i ngjyrës së gjelbërt e cila është ngjyrë e shpresës, ngjyrë e besimit dhe fitores dhe piktorja krahas ngjyrës së zezë përdor ngjyrën e shpresës, atë të gjelbërt. Porosia e autores, në këto portrete, është e qartë. Jeta është e mbushur përplot me sfida të cilat presin që ne t’i tejkalojmë.
Besa Ibraimi ka kryer fakultetin e artit figurativ dega e pikturës pranë fakultetit të Universitetit Shtetëror të Tetovës në klasën e prof. Doc. Nehat Beqiri. Është anëtare e Shoqatës së Artistëve Figurativ të Tetovës dhe Shoqatës së artistëve “Artemida”. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive, ndërsa “Njeriu dhe sfidat e jetesë” është ekspozita e parë personale. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 May 2012 16:29