Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 07:00

Prishtinë -Në përfundim të vizitës në New York, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, zhvilloi sot një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.

MPJ kosovare sapo njoftoi se ministri Hoxhaj falënderoi Sekretarin e OKB-së për mbështetjen që i ka dhënë proceseve dhe reformave pozitive në Republikën e Kosovës. Ministri Hoxhaj e informuar atë për zhvillimet e fundit politike, ekonomike dhe sociale në Republikën e Kosovës, për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të forcuar shtetësinë e brendshme dhe subjektivitetin ndërkombëtar.

Duke folur për gjendjen e sigurisë në tri komunat e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj kërkoi nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, që të ushtrojë ndikim mbi Serbinë për të hequr dorë nga mbështetja e strukturave ilegale, policore dhe paramilitare në veri të Kosovës. “Situata në këtë pjesë të Kosovës është e tensionuar, barrikadat ende mbajnë të bllokuara rrugët. Stabiliteti i brendshëm dhe arkitektura e sigurisë në Ballkan varet nga situata në veri”, theksoi ministri Hoxhaj.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj ritheksoi se qeveria e Kosovës kërkon që në veri të ndalet dhuna, të ketë sundim të ligjit dhe zhbërje të strukturave të policisë, të sigurisë dhe ato paramilitare, të cilat veprojnë në kundërshtim me të gjitha dokumentet ndërkombëtare.
Ministri Hoxhaj informoi sekretarin Ban Ki Moon edhe për dialogun teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Me këtë rast, Hoxhaj tha se i gjithë kredibiliteti i këtij procesi është vënë në pikëpyetje, pasi Serbia nuk është duke i implementuar marrëveshjet teknike të arritura në Bruksel. Nga ana e tij Sekretari i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, falënderoi ministrin Hoxhaj për vizitën dhe  shprehu mirënjohje për progresin në Kosovë, si faktor i paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. (LajmeShqip.com)