Lajme Shqip Wednesday, 16 May 2012 17:10

Prishtinë – Sot ka filluar “Java e shkencës”, e cila do të jetë e hapur deri më 19 maj. Në hapje ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili tha se shkenca në Kosovë krahasuar me atë të vendeve të rajonit nuk qëndron mirë dhe ka shtuar se mundësitë financiare për zhvillimin e saj janë të pamjaftueshme.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka thënë se shkenca në Kosova krahasuar me atë të vendeve të rajonit nuk qëndron mirë ndërsa mundësitë financiare për shkencën në Kosovë nuk janë të mjaftueshme. Ai me këtë rast ka bërë të ditur se nesër në Prizren do të bëhet promovimi i abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, në të cilën do të jenë të pranishëm edhe dy kryeministrat e të dyja vendeve.

Mark Krasniqi nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ka thënë se shkenca e Kosovës i ka borxh shtetit dhe popullit të vet, sidomos në këtë kohë.

Ndërkaq, rektori i Universitetit të Prishtinës Mujë Rugova, ka thënë se UP-ja kohëve të fundit ka marrë vlerësime të larta nga Samiti Internacional për Kualitetin, i cili e ka vlerësuar atë me “Çmimin e artë”. Ndryshe, “Java e shkencës” ka filluar sot dhe do të zgjasë deri më 19 maj, ku do të paraqiten shumë kumtesa shkencore nga shkencëtarë të ndryshëm. (LajmeShqip.com)