Lajme Shqip Wednesday, 16 May 2012 14:00

Tiranë – Gjithçka vërtitet rreth fatit, gjithçkaje ndeshim në përditshmëri por edhe ngjarje të pazakonta. Është “Carmina Burana”, sot një ndër shfaqjet e baletit që sheh dritën e skenës në teatrot më të mëdha të botës, por që në Gjermaninë e pas lojërave olimpike të vitit 1937 jo vetëm u paragjykua, por edhe u ndalua deri në kapërcyell të vitit 1990.

Në skenën shqiptare baleti me muzikë të kompozitorit gjerman Carl Orff vjen për të dytën herë, nën një koreografi krejt ndryshe ama, ndërsa në karrierën e koreografit Arjan Sukniqi, kjo është shfaqja e cila ka pasur 3 vënie të ndryshme.

“Në vitin 2004 e kanë vënë këtë balet në skenë me Orkestrën e Evropës, në vitin 2008 meqë ishte viti i kompozitorit Carl Orff, baleti u vu premierë absolute në skenën e TOB-it. Por kur e sheh pas disa vitesh një shfaqje, përherë mendon se ka diçka për të ndryshuar dhe këtë herë them me siguri se kjo shfaqje është tërësisht diçka tjetër nga ato që kam vënë me herët. Është e pjekur dhe mbi gjithçka, kam dashur ta sjell atë të koncentruar, të jetë e shkurtër sepse edhe ne duhet të kuptojmë se jeta është shumë e shpejtë dhe nuk ka shumë njerëz që mund të rrinë gjatë në një sallë, jo sepse nuk duan por sepse nuk kanë kohë”- rrëfen koreografi Arjan Sukniqi.

Vepra zhvillohet në formën e një deklamacioni pa një subjekt të caktuar që nxjerr në pah rëndësinë e fatit në jetën njerëzore së e kërkuari atë, pasi ai vetëm rrotullohet dhe në çdo moment të vjen në ndihmë. Duhen përballuar tundimet satanike që në vepër identifikohen me djallin, i cili në çdo moment është i gatshëm të ndikojë koshiencën njerëzore. Libreti i baletit “Carmina Burana” është një përmbledhje poezish të gjetura në një dorëshkrim të shekullit të XIII, i ardhur nga kuvendi Benediktbeuern. Termi “Carmina Burana” mësohet të jetë zgjedhur nga studiuesi Johann Andreas Schemeller në 1847 me rastin e publikimit të parë të dorëshkrimit. Një kod i tillë përfshin 315 vepra poetike mbi 112 fletë pergameni të zbukuruar me miniatura. Mendohej që të gjitha poezitë ishin të destinuara për t‘u kënduar, por deri më sot është mundur te ndërtohet ecuria melodike vetëm e 47 prej tyre.

Interpretojnë në skenë solistët Isida Mollaymeri, Erald Zela, Sokol Zhugri, Elona Nallbani, Elona Dervishi e Dion Gjinika, trupa e baletit, kori e orkestra e Teatrit të Operas. Pas premierës së mbrëmjes së 18 Majit, opera “Carmina Burana” siç nuk është parë më herët në skenën shqiptare, do të shfaqet për publikun shqiptar edhe më 19 dhe 20 Maj në skenën e Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Carl Orff, kompozitori ‘i ndaluar’ gjerman

Në 1937, kompozitori gjerman Carl Orff muzikoi disa pjesë të “Carmina Burana”-s, duke realizuar një vepër me të njëjtin emër për orkestër, kor e tre solistë. Orff zgjodhi të krijonte një muzikë të re, ndonëse në dorëshkrimin origjinal gjendej një gjurmë muzikore për disa prej tyre. Në fillim muzika e Carmina Burana u kritikua  dhe u dënua si “muzikë e degjeneruar” por në vazhdim, më vonë, kjo vepër edhe për frymën e saj jetësore  që fërfëllon përgjatë gjithë partiturës u prit me entuziazëm nga regjimi nazist si një kremtim i “kulturës ariane”. Koha dhe qëndrimi progresist i autorit  largoi çdo dyshim mbi ideologjinë dhe ia dhuroi këtë kryevepër të padiskutueshme publikut të gjerë. Disa nga momentet e saj si “O Fortuna”, janë përdorur si kolonë zanore në shumë filma. “Carmina Burana” e Carl Orff ka joshur shumë koreografë të 900-ës, nga Mary Wigman tek John Butler. Ndryshe nga versioni koncertor, versioni i koreografuar është menduar për të pasuruar dinamikën e fortë të tingullit të Orff me motive të reja dinamiko-koreorafike duke u frymëzuar nga e njëjta punë që Orff bënte në shkollën e themeluar prej tij duke bashkuar në një muzikën, veprimin dhe këngën.

Kompozitori Carl Orff u lind në Monako në vitin 1895, në një familje bavareze e borgjezisë së lartë, shumë aktive në ushtrinë gjermane. Orff gjithmonë ka refuzuar të flasë hapur për të kaluarën e tij. I ati ishte ushtarak dhe nëna e tij pianiste. Në moshën 5-vjeçare nis të studioje piano, organo dhe violonçel. Studioi në Konservatorin e Monakos deri në vitin 1914. Ka punuar në operën e  Mannheim e në operën e Darmstadt dhe më pas u kthye në Monako për të plotësuar edukimin e tij muzikor. Në vitin 1924, themelon në Monako, së bashku me miken e tij Dorothea Günther,  Günther Schule, të specializuar në mësimin e muzikës, vallëzimit dhe gjimnastikës. Kështu mundi të zhvillojë teoritë e tij mbi edukimin muzikor:

Ndërsa bashkëpunimi i Orff me partinë naziste është shumë i debatuar, është i padiskutueshëm suksesi i tij me Carmina Burana, që nga shfaqja e parë e saj në Frankfurt në 1937.

Orff është i njohur kryesisht për veprën Carmina Burana. Është e para opera e triologjisë së quajtur Trionfi, që përfshin Catulli Carmina e Trionfo di Afrodite. Këto kompozime reflektojnë interesin e tij që shtrihet nga poezia lirike antike tek poezia goliadrike mesjetare latine. Shumë tema nga dashuria tek filozofia e ushqimi i mirë, janë të lidhur me lajtmotivin e kohës që kalon në mënyrë të pamëshirshme; autori krijon vendosmërisht një muzikë të thjeshtë, për kor e orkestër, e ndërtuar me ritme të fuqishme të përshkruara nga tingull i pasur.

Mes titujve kujtojmë operan Der Mond (la Luna, 1939) e Die Kluge (la Saggia, 1943), të dyja të frymëzuara nga tregimet e Grimm.