Tiranë – Ministri për Çështje Evropiane të Danimarkës, Nicolai Wammen, theksoi sot në Tiranë se, “dhënia e statusit të kandidatit për Shqipërinë do të mbështetet në vepra konkrete dhe jo në fjalë dhe Shqipëria do të gjykohet në bazë të meritave të saj”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministri për Çështje Evropiane të Danimarkës tha se, “është një pjesë shumë e rëndësishme e vlerave europiane që të ketë një sistem zgjedhor si në zgjedhjen e presidentit, edhe në zgjedhjet e përgjithshme, i cili të mbështetet në vlerat demokratike dhe të gëzojë besimin e të gjithë popullit për të siguruar një demokraci mirëfunksionale”.
“Mesazhi i BE-së është shumë i qartë: 24 maji do të jetë prova e parë e këtij zhvillimi. Pra siç e ka theksuar zoti Fule dhe unë gjithashtu në cilësinë time si kryetar i presidencës së radhës, e rëndësishme është të arrihet pikërisht realizimi i kësaj marrëveshje në 24 maj, pra të arrihet një marrëveshje për çështjet kryesore, pastaj puna do të vazhdojë mbrapa saj për çështje të tjera që lidhen me 12 përparësitë. Pastaj në vjeshtë do të kemi raportin e progresit apo ecurisë së Shqipërisë”, tha ai.
Sipas Wammen, është në dorën e Shqipërisë të bëjë pikërisht atë që pritet prej saj, të realizojë këtë përparim që BE pret, të cilën më pas, ne do ta shqyrtojmë në raportin e vjeshtës. “Ne mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE, por punën e vështirë duhet ta bëjë vetë ajo”, tha ai. Sipas Wammen, “reforma demokratike dhe përmirësimi i shtetit ligjor janë elementë thelbësorë, që do të ndikojnë shumë në mendimin që do të kenë 27 vendet anëtare të BE-së në lidhje me dhënien e statusit të vendit kandidat”. “Kemi parë shenja ikurajuese, por tani fillon puna e vërtetë”, tha ai.
Wammen tha se, BE do të ndjekë me vëmendje procesin për zgjedhjen e presidentit dhe ka pritshmëri të mëdha dhe standarde të larta në lidhje me atë që do të ndodhë këtu. “Bëhet fjalë për përgjegjësi të mëdha përsa i takon partive politike dhe udhëheqësve të tyre në Shqipëri. BE pret që politikanët shqiptarë ta justifikojnë këtë pritshmëri tonën”, tha Wammen. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 May 2012 12:46