Prishtinë – Për nder të figurës së profesorit dhe veprimtarit, Ukshin Hoti, Komuna e Rahovecit kohë më parë ka ndërmarrë një iniciativë për ndërtimin e shtëpisë Muze të Ukshin Hotit. 
Inaugurimi i saj do të duhej të fillonte sot, por është shtyrë deri më 17 qershor, në ditën e lindjes së tij. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, këtë nismë e vlerëson një hap simbolik karshi veprave madhore të politologut Hoti, që bëri aq shumë për çështjen kombëtare. Ndërkohë, një grup i studentëve të Universitetit të Prizrenit, ka marrë iniciativën që ky institucion i arsimit të lartë të mbajë emrin e intelektualit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti.
Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Ragip Gjoshi, thotë se emri i Ukshin Hotit do t’i rrinte shumë mirë këtij Universiteti, por do të shqyrtohet ana ligjore sa i përket emërtimeve.
Udhëheqësi i njësisë së komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Kushtrim Gara, tha se me iniciativë të familjarëve dhe me kërkesë zyrtare të komisionit qeveritar, është proceduar kërkesa për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit.
Më 16 majtë vitit 1999 profesor Ukshin Hoti u mor nga burgu i Dubravës një ditë para se të përfundonte afati i vuajtjes së dënimit me burg prej 5 vjetësh. Që nga ajo ditë nuk ka asnjë informacion të saktë për fatin e profesor Hotit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 May 2012 11:58