Lajme Shqip Tuesday, 15 May 2012 22:17

Tiranë -Presidenti Bamir Topi priti sot në një takim të veçantë Kryetarin e Parlamentit turk, Xhemil Çiçek dhe delegacionin që e shoqëronte. Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se gjatë këtij takimi, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore dhe miqësinë historike mes dy vendeve e popujve tanë, duke shprehur njëkohësisht dëshirën dhe bindjen në intensifikimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat.

Kreu i Shtetit konsideroi të një rëndësie të veçantë forcimin e bashkëpunimit dypalësh institucional, sidomos mes organeve më të larta legjislative të Shqipërisë dhe Turqisë, me synim forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Kryeparlamentari turk Xhemil Çiçek, vuri në dukje se ka ndjekur e ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në Shqipërinë mike, duke vlerësuar me këtë rast rolin mjaft pozitiv e serioz institucional, ligjor e kushtetues të Presidentit Topi në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në proceset e zhvillimit demokratik të Shqipërisë, si dhe duke uruar një finalizim sa më të shpejtë të aspiratës integruese të shtetit dhe të popullit shqiptar në familjen evropiane.

**************************

Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek. “Mbështetja dhe ndihma e Turqisë ka qenë e një rëndësie themelore në ndryshimet dhe zhvillimin e Shqipërisë”, tha sot Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek dhe delegacionin e parlamentarëve turq që e shoqëronte.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Berisha theksoi se kjo vizitë është një kontribut i mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore e vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve e kombeve. Kryeministri Berisha theksoi vullnetin  e palëkundur të qeverisë shqiptare për ti thelluar dhe konsoliduar gjithnjë e më shumë këto marrëdhënie.

Nga ana e tij, zoti Çiçek pohoi marrëdhëniet e  ngushta tradicionale të miqësisë mes Shqipërisë dhe Turqisë, me rrënjë të thella në histori, si dhe shprehu vullnetin dhe angazhimin për ti forcuar e zgjeruar ato në të ardhmen. Duke u ndalur veçanërisht tek investimet turke në Shqipëri, ata shprehën kënaqësinë që klima miqësore dhe vullneti i përbashkët ka bërë që ato të rriten me 9 herë, si dhe rikonfirmuan vullnetin për nxitjen dhe zhvillimin e tyre, si një e mirë e përbashkët për të dy vendet.

Kryeministri Berisha çmoi mbështetjen që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon ti japë Kosovës në të gjitha përpjekjet e saj për zhvillim. Nga ana e tij, zoti Cicek u shpreh se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në reformimin e institucioneve të saj, zhvillimin e reformave dhe atë ekonomik.

**************************

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shprehu mirënjohje për mbështetjen e fuqishme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë një takimi, sot me Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, Çemil Çiçek dhe delegacionin që e shoqëron.

Znj. Topalli e cilësoi vizitën si dëshmi të marrëdhënieve të forta miqësore që vendet kanë, ndërsa vlerësoi se Turqia është një nga partnerët strategjik të Shqipërisë.
Z. Çiçek shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, që përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë, ku ndihet i rrethuar mes miqsh.

“Jam i lumtur që vizitoj Shqipërinë, ne vijmë në këtë vizitë si miq të afërt të shqiptarëve. Ne jemi të kënaqur që në vendin tonë ka shumë shtetas me origjinë shqiptare. Marrëdhëniet tona janë shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve, në rajon por edhe në nismat ndërkombëtare. Të dy vendet tona bashkëjetojnë si dy familje të rëndësishme. Shqipëria është vend jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me një rol kyç në Ballkan. Dhe unë dua ta theksoj: Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në rajon, pa pjesëmarrjen e Shqipërisë” tha Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë, Çiçek.

Znj Topalli dhe Z.Çiçek vlerësuan se forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik ka hapësira, të cilat mund të eksplorohen investime e projekte strategjike. Aktualisht, Kuvendi shqiptar ka miratuar 160 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi me Turqinë. Kryetarja Jozefina Topalli vlerësoi rolin e Turqisë në nxitjen e njohjeve të Kosovës, për të cilën z. Çiçek tha se mbështetja e Kosovës dhe rritja e njohjeve të saj është një ndër çështjet kryesore në axhendën e qeverisë turke. Temë e rëndësishme në takim ishte edhe projekti i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline. Kryetarja Topalli kërkoi mbështetjen e Turqisë për realizimin e kalimit të gazsjellësit përmes Shqipërisë, çka do të sillte impakt të jashtëzakonshëm ekonomik jo vetëm për vendin tonë, për rajonin e më gjerë. (LajmeShqip.com)