Prishtinë -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot ministrin e Mbretërisë së Danimarkës për Çështje Evropiane, Nicolai Wammen, në një takim ku u bisedua për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.
Kryeministri Thaçi u shpreh i bindur se nga ana e saj, qeveria e Republikës së Kosovës do të plotësojë të gjitha detyrat dhe obligimet në afat rekord, në mënyrë që afrimi me Bashkimin Evropian të bëhet sa më real.
Ministri Wammen, vendi i të cilit kryesor presidencën e BE-së, theksoi se nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Në procesin e integrimit Kosova duhet të vazhdojë me reformat e nisura dhe arritjen e standardeve të një shoqërie demokratike dhe të zhvilluar.
Edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, priti sot në takim ministrin për çështje Evropiane në qeverinë e Danimarkës, Nicolai Wammen, dhe delegacionin përcjellës.
Ministrja Çitaku vlerësoi kryesimin e Bashkimit Evropian nga Danimarka dhe shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës rreth procesit të integrimit Evropian, dhe në këtë fazë rreth studimit të Fizibilitetit.
Nga ana e tij, ministri danez, Wammen tha se “Kosova është pjesë e familjes Evropiane dhe së bashku duhet bërë gjithçka që mundemi të promovojmë Integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”. “Çështja e liberalizimit të vizave është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe besoj që shumë shpejtë do të arrijmë te kjo zgjidhje, dhe ky mbetet synim i presidencës daneze”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 15 May 2012 20:33