Lajme Shqip Tuesday, 15 May 2012 15:30

Tiranë – Garës për realizimin e projektit më të rëndësishëm të 50 viteve të ardhshme për kryeqytetin e Shqipërisë, zgjatimit të bulevardit dhe rehabilitimit të Lumit të Tiranës, po i vjen fundi.

Nga rëndësia dhe impakti që ka ky projekt jo vetëm për kryeqytetin, Bashkia e Tiranës ka marrë edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare. Në prani të Kryeministrit Sali Berisha dhe kryebashkiakut Lulzim Basha, dy studiot në garë, “DAR” dhe ‘GrimshaW”  iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të grupit strategjik dhe qytetarëve, duke theksuar pikat e forta të projekteve të tyre.

Studio “DAR” ka ngushtuar në 100 metër gjerësinë e bulevardit nga 170 që e kishte në projektin e parë, duke sjellë dhe një reduktim të kostos së ndërtimit në rreth 20 milionë euro. Shumica e parkimeve parashikohen nëntokë. “DAR” studio propozon që bulevardi të jetë për këmbësorët dhe makinat të kalojnë pas vijës së parë të ndërtimeve.

Ndërsa studio “GrimshaW” e parashikon në 60 m gjerësinë e bulevardit, duke ndërtuar tre sheshe përgjatë tij. Në këtë projekt, makinat qarkullojnë në mes të bulevardit. E përbashkëta e dy studiove janë hapësirat e gjelbëra, rrugët e dedikuara për këmbësorët dhe bicikletat.

Për projektin e bulevardit konkuruan më 8 mars 20 studiot më të mira arkitekturore të botës, të cilat prezantuan masterplanet për zgjatimin e Bulevardit, deri tek lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj, prej 132.8 ha.  Këto studio sollën dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth. (LajmeShqip.com)