Lajme Shqip Tuesday, 15 May 2012 13:07

Prishtinë (PLOTESUAR 12:00)- Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar të martën se ekzekutivi i vendit do të i zbatojë vendimet e Kuvendit, pas mocionit të votuar javën e kaluar në Kuvend. Ky mocion kushtëzon Qeverinë e Kosovës, që bisedimet me Serbinë të mos i fillojë deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Në një prononcim për mediat, Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës do të shikojë këto rekomandime që janë votuar në Kuvend dhe do të analizohen. I pyetur se pas formimit të Qeverisë në Serbi a do të vazhdohet me bisedime, Kuçi ka thënë se momentalisht janë të fokusuar që të implementohen marrëveshjet e arritura deri më tani.

Për më tepër ai ka shtuar se çështja e fatit të pagjeturve unifikon të gjithë në Kosovë dhe nuk është një instrument për të luftuar dikë.

Edhe pse ishte paralajmëruar që PDK-ja do të insistojë që fut në rivotim mocionin e votuar javën e kaluar, një gjë të tillë Grupi Parlamentar i PDK-së nuk e bëri. Me këtë mocion, i cili ka mbetur në fuqi kushtëzohen bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, deri në zgjidhjen e çështjes së fatit të të pagjeturve.

PDK është tërhequr nga qëllimi për t’i kthyer në rivotim në Kuvendin e Kosovës rekomandimet e miratuara javën e kaluar. Përpjekja e Grupi Parlamentar të PDK-së, që t’i kthejë në rivotim rekomandimet e miratuara javën e kaluar, në seancën e sotme është mbyllur me një fjalim të deputetit Arsim Bajrami. Ai tha se çështja e të pagjeturve mbetet detyrim i institucioneve shtetërore, ndërkohë nga udhëheqja e Kuvendit kërkoi që herëve të tjera të ketë kujdes gjatë proceseve të votimit. Deputeti Bajrami, në emër të PDK-së kërkoi që Kuvendi mos të merret më tutje me çështjen e të pagjeturve, për të cilën Kuvendi javën e kaluar miratoi disa rekomandime, një prej të cilëve parasheh kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. (LajmetShqip.com)

**************************************

Prishtinë-  Shume familjarë te te pagjeturve kishin dalë për të protestuar sot para ndërtesë së Kuvendit, duke kërkuar nga ky institucion që t`i kushtëzoj bisedimet me Serbinë deri sa të dihet për fatin e familjarëve të tyre të humbur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ata shprehen te habitur se si edhe pas 13 vjetësh, institucionet e Kosovës nuk po bëjnë aq sa duhet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. “Si do ta ndjenin veten ata sikur ta kishin një person të zhdukur, e sidomos një fëmijë 13 vjeçar. Si do të ndiheshin ata ditë e natë siç ndihemi ne. Kjo është shumë e dhimbshme për ne”.

Në anën tjetër, kryetarja e organizatës për persona të pagjetur “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, Nysrete Kumnova, tha se institucionet e Kosovës do të duhej ta kushtëzonin Serbinë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

“Kuvendi nuk duhet që ta shfuqizojë vendimin e marrë me datën 3 dhe 10 maj. Ne familjarët që 13 vjet kërkojmë që Serbia të kushtëzohet dhe të zbardhet fatit i të pagjeturve”.

Ndërkohë, Kuvendi vazhdon sot mbledhjen sipas rendit të ditës të paraparë për mbledhjen e ndërprerë të premten, pasi PDK u tërhoq nga kërkesa që të rivotohej mocioni për të pagjeturit, i  miratuar me shumicë votash dhe me të cilin kushtëzohej vazhdimi i dialogut me Serbinë. (LajmeShqip.com)