Bruksel- Në seancën kushtuar Shqipërisë, shefi i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan ka deklaruar se vetëm zbatimi i reformave mund të sjellë progres në proçesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Vlerësoj dialogun dhe bashkëpunimin politik. Shqipëria po ndryshon për mirë në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë. Vetëm zbatimi i reformave sjell ecjen përpara”, ka deklaruar Kukan.
“Është mirë që po marrim lajme të mira nga Tirana kishte ardhur koha! Koha po ecën shpejt. Ka nevojë për rezultate të prekshme. Personalisht jam i kënaquër që tani situata ka ndryshuar. Dua të vlerësoj punën e komisionit. Nuk kam durim… do të doja të shikoja vendin tuaj të ecë përpara. Vetëm kur këto reforma të jenë materializuar, vetëm atëherë do të jetë e mundur për të ecur përpara. Mesazhi im i vërtetë është se ne jemi të kënaqur që situata është duke ndryshuar për mirë në shqipëri. Unë e besoj këtë. Ne do të ishim më të lumtur sikur kjo të ishte një trend i vazhdueshëm”, tha anëtari I Parlamentit Europian, Eduard Kukan.
Nga ana e tyre, relatorët shqiptarë kanë premtuar vazhdimin e konsensusit për çështjet kryesore, mes të cilave ajo për heqjen e imunitetit, që është prekur nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. “Në Shqipëri ka një frymë të re konsensusi. Ne jemi të angazhuar që dialogu politik të vazhdojë. Qeveria ka kërkuar heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe çështja e imunitetit nuk mund të na pengojë për ecjen përpara”, ka deklaruar Bregu.
Ndërsa ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto e ka vënë theksin tek bashkëpunimi mes palëve për miratimin e ligjeve që kërkojnë tre të pestat e votave. “Ligjet me shumicë të cilësuar janë miratuar me konsensus, si për shembull Avokati i Popullit. Me konsensus do të miratohen edhe ligje të tjera”, ka thënë Haxhinasto. Shefi i diplomacisë shqiptare ka renditur edhe prioritetet e klasës politike, si lufta kundër korrupsionit dhe përfundimi në kohë i reformës zgjedhore.
Edhe deputeti socialist Ditmir Bushati, njëkohësisht kryetar i komisionit parlamentar për integrimin, e ka vënë theksin tek nevoja e bashkëpunimit pozitë-opozitë. “Që Parlamenti të funksionojë duhet konsensus”, ka deklaruar ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 May 2012 18:19