Lajme Shqip Monday, 14 May 2012 15:31

Prishtinë – Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasadës së Zvicrës u shpreh se qeveria është e gatshme që të dialogojë me qytetarët serb sa herë që është nevoja. Por, dialogimi do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe implementimin e pakos së Ahtisarit.

“Ne nuk kemi filluar formalisht bisedat me serbët e veriut. Por, paraprakisht atje ka nevojë për rend dhe ligj, kontroll më të më madh të kufijve,  forcim të zinxhirit komandues, funksionim të rendit dhe ligjit dhe krijimin e kushteve që qytetarët të mendojnë dhe të veprojnë lirshëm”.

Zëvëndëskryeministri, dhe njëherësh ministri i drejtësisë, Kuçi, tha se ka nënshkruar kërkesën e EULEX-it, që Dick Marty të dëshmojë në rastin “Medikus”. “Unë kërkesën e EULEX-it ka kohë që e kam nënshkruar që ai të vijë dhe të dëshmojë në Kosovë”.

Ambasadorja e  Zvicrës në Kosovë Krystyn Marty, u shpreh se nuk është në dijeni nëse Dick Marty do të vijë për të dëshmuar në Kosovë ose jo.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Kuçi dhe ambasadorja Marty e vlerësuan të suksesshëm në fushën e bashkëpunimit juridik, nënshkrimin e marrëveshjes në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar  “Transferim të personave të dënuar”. Me anë të kësaj marrëveshje të nënshkruar të burgosurit e Kosovës në Zvicër, mund të kërkojnë të kthehen në Kosovë për ta vuajtur dënimin si dhe anasjelltas. (LajmeShqip.com)