Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaqi tha sot se e ardhmja e Kosovës është në Evropë. Duke folur para ministrave dhe sekretarëve të ministrive, kreu i Qeverisë përmendi angazhimin e vendit në implementimin e gjitha kritereve të nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për stabilizim asociimit, ndërsa theksoi se Brukseli po i stërgjatë proceset.
“E vërteta është se dinamika në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhen, vonesat e Brukselit janë të pajustifikueshme, Kosova mjaft është vonuar për një shekull padrejtësisht, përderisa Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm në përafrimin e saj me strukturat e Bashkimit Evropian, BE ka vepruar me hapa shumë të ngadaltë.
Me 7 maj në Kosovë ka arritur pyetësori për studimin e fizibilitetit, dokument i cili i paraprinë marrëveshjes së stabilizim asociimit. Pyetësori me 450 pyetje duhet të plotësohet nga të gjitha institucionet e vendit, prandaj Kryeministri Thaçi kërkoi angazhim serioz, në përmbushjen e këtij pyetësori.
Bazuar në përgjigjejet e institucioneve, deri me 1 qershor, Ministria e Integrimit evropain do të konsolidojë dokumentin final i cili duhet t’i dorëzohet Komisionit Evropian me 8 qershor. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 May 2012 14:45