Lajme Shqip Monday, 14 May 2012 13:57

Tiranë -PDIU reagoi sot duke theksuar se rasti i fundit i kthimit të më shumë se 50 qytetarëve shqiptarë në kufirin me Greqinë, në Kapshticë pa asnjë argumentim nga pala greke, tregon se Athina zyrtare tashmë ka kaluar çdo kufi prepotence me shtetin tonë dhe bashkëkombasit tanë.

Në një deklaratë për mediat, sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PDIU Ardit Bido tha se “pasi përdori një sërë argumentesh nga më qesharakët, përfshi këtu edhe toponimitë, të cilat PDIU vërtetoi se nuk kanë asnjë efekt ligjor, tashmë shteti grek po i kthen pa asnjë argumentim qytetarët shqiptarë në kufi”.

‘Kjo është një përpjekje e qartë e palës greke pasi  po tenton që të tregojë supremacinë e saj ndaj Shqipërisë, sidomos në këtë periudhë kur shteti grek ka humbur çdo rol në politikën rajonale në Ballkan, për shkak të krizës ekonomike dhe politike që është futur”, u shpreh Bido.

Sipas tij, Greqia po dëmton rëndë imazhin e shtetit shqiptar në Bashkimin Evropian. Raportet e përtremujorshme të FRONTEX, autoritetit përgjegjës i BE-së për menaxhimin e kufijve, tregojnë se shtetasit shqiptarë janë në vend të parë në kthimin e tyre, ndër vendet që kanë liberalizim vizash me zonën Shengen.

Sipas tij,  “është e qartë si drita e diellit, që shqiptarët kanë respektuar më shumë se çdo kombësi tjetër kushtet e liberalizimit të vizave dhe dëmtimi i imazhit tonë është thjesht produkt i një politike antishqiptare, që sidomos gjatë kohëve të fundit është fuqizuar në Greqi”.

PDIU i bën thirrje shtetit shqiptar që të veprojë sa nuk është vonë,  për të shpëtuar nga një grackë që qarqet ekstremiste në Greqi po tentojnë të fusin shtetin tonë, qarqe të cilat gjithnjë e më shumë kanë gjetur zë në politikën zyrtare të Athinës.

“Rruga e Shqipërisë për në BE nuk kalon nga Athina, aq më tepër nga një Athinë që gjithnjë e më shumë gjendet me një hap jashtë Evropës së Bashkuar”, përfundoi deklaratën për mediat, sekretari për marrëdhëniet me publikun në PDIU. (LajmeShqip.com)