Tiranë – Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskuton të hënën për zhvillimet e fundit tremujore në Kosovë, ndërsa material bazë do të jetë raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.
Në fillim të raportit të tij Ban Ki-Moon vlerëson se “pas konkluzioneve të suksesshme të diskutimeve për çështjet kryesore në dialog, Beogradi dhe Prishtina, i kanë avancuar planet e tyre evropiane”. Në këtë aspekt përmendet se Bashkimi Evropian i dha Serbisë statusin e kandidatit dhe se më 27 mars, Komisioneri për Zgjerimin formalisht lancoi studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë.
“Kjo shënon zhvillimin më pozitiv në periudhën raportuese që ka dalë nga progresi konkret në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në raport.Por, këto zhvillime kanë rënë nën hijen e “tensioneve në rritje në terren gjatë pjesës së fundit të periudhës raportuese”, theksohet në raportin e Ban Ki-moonit, duke shpjeguar se kjo i atribuohej pjesërisht “përgatitjeve për zgjedhjet serbe më 6 maj dhe kundërthëniet shoqëruese për votimin në Kosovë”.
Në raportin e gjatë të Ban Ki-moon theksohen dallimet ekzistuese “të pikëpamjeve ndërmjet palëve dhe ndërmjet komunitetit serb në të dy anët e lumit Ibër”.
Derisa “serbët e Kosovës, që marrin pjesë në institucionet e Kosovës, e hodhën poshtë nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, shumë të tjerë kërkuan që ato të mbahen në harmoni të plotë me ligjin e Serbisë”.
Ban Ki-moon kujton se përfaqësuesi i tij special “kishte shkëmbyer korrespondencë me qeverinë e Serbisë, që kishte rezultuar me marrëveshje për të mos organizuar zgjedhje lokale në Kosovë në maj, por për ta rishqyrtuar këtë çështje në një datë të ardhshme”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 May 2012 13:47