Bruksel – Qeveria belge ka krijuar një listë të shtatë vendeve “të sigurta”, duke përfshirë edhe Maqedoninë, qytetarët e së cilës mund të marrin azil në Belgjikë vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.
Përveç Maqedonisë, në këtë listë përfshihen edhe Shqipëria, Bosnja e Hercegovinë, India, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi.
Sipas vendimit të Qeverisë së Brukselit, shtetasit e këtyre shtatë vendeve që do të aplikojnë për azil në Belgjikë, do të marrin përgjigje të kërkesës brenda 15 ditëve.
Mediat belge theksojnë se shanset për pranimin e kërkesave për azil ndaj qytetarëve të vendeve të “sigurta” janë minimale, përveç nëse nuk bëhet fjalë për disa raste ose rrethana të jashtëzakonshme.
Kjo listë është e vlefshme gjashtë muaj, pas së cilës do të pasojë rishqyrtimi i saj.
Qëllimi i vendosjes në listën e vendeve “të sigurta” është që të zvogëlohet numri i personave të akomoduar në qendrat për azilkërkuesit.
Sipas statistikave belge, 18 për qind e aplikacioneve për azil të parashtruara vitin e kaluar kanë ardhur nga shtetasit e njërit nga shtatë vendet në listë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 May 2012 18:10