Tiranë – Aleanca Kuq e Zi ka organizuar paraditen e sotme protestë para ambasadës serbe në Tiranë si shenjë solidariteti ndaj shqiptarëve të Preshevës dhe të Maqedonisë. Në mbeshtetje të protestës ka marrë pjesë dhe kreu i Bashkisë së Preshevës Ragmi Mustafa.
Aleanca Kuq e Zi me moton ‘Nga Presheva në Maqedoni të gjithë jemi kuq e zinj’ ka protestuar kundër arrestimit me 4 maj nga autoritetet serbe të 8 shqiptarëve të Preshevës. Aleanca Kuq e Zi ka bërë thirrje që Serbia të lirojë të burgosurit politik, që të mos përballet me 10 mijë shqiptarë.
Në një aksion policor, të ndërmarrë më 4 maj 2011në Bujanovc, Luginën të Preshevës, janë arrestuar 8 shqiptarë, të cilët, dyshohen për krime lufte të bëra në Kosovë. Prokurori i Serbisë, për krime lufte, Vladimir Vukçevic, ka thënë se pesë shqiptarët, dyshohen për krime lufte, gjatë luftës së vitit 2001, në Luginën e Preshevës. Ndërkohë ministri serb Ivica Daçiç, duke reaguar për aktgjykimin lirues të Fatmir Limajt, të akuzuar për krime lufte ndaj serbëve dhe joshqiptarëve në Kleçkë, deklaroi se derisa të jetë ai në krye të MPB-së do të arrestojë secilin që ka bërë krime lufte dhe se “Prishtina, për këtë vendim të turpshëm, nuk do të presë shumë gjatë për përgjgjen”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 May 2012 11:10