Beograd -Komisioni Republikan Zgjedhor në Serbi mbrëmë ka konfirmuar fitoren e një deputeti shqiptar në zgjedhjet e 6 majit në kuadër të Listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Nga rezultatet e shpallur të këtij komisioni bëhet e ditur se Riza Halimi, deputeti i deritanishëm ka fituar mandatin e ri të deputetit, mirëpo marrëveshja e koalicionit të partive shqiptare parasheh që deputeti të jetë me rotacion dhe secila parti PVD, LPD dhe UDSH të ushtrojnë mandatin në një cikël të shkurtër.
Sipas KRZ-së, nga pakicat kombëtare mandate të deputetëve kanë fituar edhe komunitetet e tjera: Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës – 5 mandate, Partia e Aksionit Demokratik të Sanxhakit – 2 mandate, si dhe dy deputetë të komuniteteve tjera, përfshirë edhe një deputet maqedonas.
Nga partitë e mëdha, numrin më të madh të deputetëve e ka fituar “Lista Ngrisim Serbinë – Tomislav Nikoliq” – 73 mandate, “Lista për jetë më të mirë – Boris Tadiq 67 mandate, dhe koalicioni i udhëhequr nga PS e Ivica Daçiq – 44 mandate, Lista e udhëhequr nga PLD e Jovanoviq 19 deputetë, etj. (LajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 17:58