Tiranë – Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), pak ditë para mbarimit të mandatit të komisionit të reformës zgjedhore, apeloi për përfundimin në kohë të kësaj reforme.
Gjatë një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama kërkoi nga komisioni të marrë parasysh propozimet e 26 partive politike, të depozituara ditë më parë, që synojnë korrektimin e sistemit aktual zgjedhor.
I pyetur nga gazetarët nëse Ilir Meta mund të jetë një emër i mirë për kandidat për president, Luan Rama, Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së ka pohuar mundësinë duke shpjeguar se kreu i partisë së tij i plotëson kriteret kushtetuese edhe pse emrat do të vijnë siç shtoi ai nga forumet dhe e rëndësishme është që presidenti të jetë konsensual. “Pse jo. Ligji dhe kushtetuta parashikon kriteret se kush mund të jetë kandidat dhe LSI-ja nuk e përjashton veten që të kontribuojë në të mirë të realizimit të zgjedhjes së një presidenti konsesual, pastaj çështja e emrit do të përzgjidhet nga forumet” theksoi Rama, ndërsa edhe pse jo zyrtarisht Meta i shtohet tashmë listës së kandidatëve të propozuar publikisht.
Luan Rama ka mbështetur edhe deklaratën e djeshme të deputetit socialist Ben Blushi për bashkëpunim me PS për zgjedhjen e presidentit të ri. (lajmeShqip.com)
Friday, 11 May 2012 14:14