Lajme Shqip Friday, 11 May 2012 12:23

Prishtinë -Partitë opozitare braktisën seancën e Kuvendit të Kosovës pas mocionit të ngritur nga Grupi Parlamentar i PDK-së që dy dokumentet e miratuara në seancën e djeshme, e të cilat e obligojnë Qeverinë që të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të harmonizohen dhe të kthehen në rivotim si një dokument i vetëm. Shefi i këtij grupi, Adem Grabovci kërkoi që  këto dokumente të harmonizohen, nëse vërtetë synohet t’u ndihmohet familjarëve të të pagjeturve.

Kjo kërkesë e Grupit Parlamentar të PDK-së, vjen një ditë pasi që Kuvendi miratoi rekomandimet e propozuara pas interpelancës së zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe mocionin e seancës së javës së kaluar, në të cilën është debatuar për fatin e personave të pagjetur. Opozitarët vlerësuan se nuk ka nevojë që dy dokumentet e miratuara dje të harmonizohen, pasi që sipas tyre, ato nuk bijnë ndesh me njëra-tjetrën.

Madje ata konsideruan se deputetët e pozitës nuk kanë kuptuar çka kanë votuar. Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

“Nuk është problem i deputetrëve të LDK-së që të tjerët nuk e kanë marrë vesh se cka po votojnë. Ne nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e shkeljeve të procedurave nga institucioni më i lartë i vendit, andaj ne nuk do tëqëndrojmë në sallë dhe nuk do ta përkrahim këtë mocion”, tha Beqiri.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri shprehu kundërshtimin për mocionin e ngritur nga Grabovci, ndërkaq shkoi edhe më larg në komentimet për deputetët e koalicionit qeverisës. “Unë nuk dua të besoj që në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka deputetë të tillë idiotë, të cilët kur i lexojnë katër pika nuk i marrin vesh se çka kanë lexuar”.

As pushimi prej më shumë se gjysmë ore nuk ka bërë punë që grupet parlamentare të arrijnë konsensus lidhur me këtë çështje dhe duke pasur parasysh mungesën e kuorumit, kryesuesi i seancës, nënkryetari Xhavit Haliti vendosi shtyrjen e seancës për të martën. Njëri nga rekomandimet, pas interpelancës së zëvendëskryeministres Edita Tahiri, që u miratua dje, kërkon që vazhdimi i dialogut me Serbinë, të kushtëzohet me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. (LajmeShqip.com)