Tiranë – Rritja e kërkesave nga bizneset për blerjen e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare, ka rritur volumin e punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Standardeve (DPS).
Burime nga DPS thanë se, çdo muaj në këtë institucion punohet për adoptimin e rreth 300 standardeve evropiane dhe ndërkombëtare EN dhe ISO/IEC, të cilat vihen në dispozicion të bizneseve dhe kërkesave të tyre. Çmimet për një standard shqiptar variojnë nga 1.200-26.000 lekë, ose 30% e atyre ndërkombëtare.
Një total mujor i tillë standardesh, që vlerësohet i kënaqshëm, shpjegohet me shtimin e kërkesës për më shumë cilësi, rritjen e konkurrencës dhe eksporteve në tregjet rajonale të prodhimeve shqiptare.
Burimet e DPS shtojnë gjithashtu se edhe rritja e kërkesës së tregut vendas për prodhime cilësore po ndikon në kërkesat e bizneseve për standarde më të përparuara në prodhim, duke nisur nga teknologjitë, pajisjet, lënda e parë, etj.
Në rritjen e kërkesës për më shumë standarde janë përfshirë jo vetëm sektorët prodhues si industritë e tekstileve, veshjeve, këpucëve, ndërtimit, por edhe shërbimet, hoteleria, restorantet, etj.
“Rritja e shitjeve të standardeve është shumë pozitiv, pasi i shërben klientit shqiptar, i cili po rrit përherë e më shumë kërkesat për konsum të prodhimeve të sigurta dhe shërbime të niveleve evropiane dhe ndërkombëtare”, thonë burime zyrtare të DPS-së.
DPS numëron mbi 23 mijë standarde, prej të cilave, disa mijëra janë shqiptare, ku vendin kryesor e zënë ato për cilësinë. “Procesi i adoptimit të standardeve vijon”, thanë burimet nga DPS.
Thursday, 10 May 2012 15:30