Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 13:07

Tiranë (PLORESUAR 17:30)- Zyra e shtypit e delegacionit të BE-së në Tiranë, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se “miratimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm përpara, pasi forcon më tej aftësinë e SIFT-it për të kryer një hetim penal të plotë, të drejtë dhe të pavarur lidhur me akuzat për krime lufte dhe për krim të organizuar, që përmbahen në raportin e Këshillit të Evropës (KiE) të janarit 2011”.

“Dua të shpreh vlerësimin tim ndaj Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij për propozimin e një ligji mbi bashkëpunimin me SIFT-in dhe për mundësimin e miratimit të tij nga Parlamenti. Njëkohësisht, dëshiroj të përgëzoj të gjitha partitë politike të cilat ofruan mbështetjen e tyre ndaj këtij ligji. Mbështetja e gjerë politike ndaj kësaj nisme është një shprehje e fortë e angazhimit të Shqipërisë ndaj çështjes së përgjegjshmërisë dhe zbatimit të ligjit”, tha kryeprokurori Clint Williamson. (LajmeShqip.com)

********************************

Tiranë – Kuvendi miratoi të enjten me 127 vota pr/ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it”.

Pr/ligji i njeh misionit EULEX në Kosovë, autoritetin për të zhvilluar hetime edhe në Shqipëri lidhur me akuzat e përfshira në raportin e relatorit të Këshillit të Europës, Dick Marty, për një trafik të mundshëm organesh të zhvilluar nga UÇK në fund të viteve ’90, edhe në territorin shqiptar.

Sipas relacionit të pr/ligjit “Shqipëria e konsideron të domosdoshëm rrëzimin njëherë e përgjithmonë të akuzave të ngritura nga Dick Marty, duke e konsideruar të një rëndësie primare vendosjen e drejtësisë, që është njëkohësisht gur themeli për vendosjen e paqes dhe për të kundërshtuar çdo mundësi për cënimin e imazhit të shqiptarëve dhe luftës së drejtë të çlirimit të Kosovës”. (LajmeShqip.com)