Prishtinë – Deputetët opozitarë e kanë nisur seancën plenare me kritika për qasjen e qeverisë ndaj zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i quajti të papranueshme dhe antikushtetuese sjelljen triumfaliste të Qeverisë së Kosovës karshi zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Ai i quajti pa sens dhe të dëmshme deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi se me mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë u respektua kushtetuta e republikës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu e përfshiu edhe presidenten Atifete Jahjaga në kritikat për qasjen e institucioneve të Kosovës karshi zgjedhjeve serbe. “Kryeministri dhe presidentja, jo vetëm që nuk e mbajtën fjalën, por ata bënë lojë retorike për të gënjyer qytetarët për një cështje kaq të rëndësishme si kjo. Pra, në vend se të gënjehet Serbia e të jenë të sinqertë me qytetarët e Kosovës, ata bëjnë saktësisht të kundërtën”.
Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ish gazetari Berat Buzhala, përmendi kthimin për rishqyrtim të Kodit Penal të Kosovës për shkak të kundërshtimit të neneve 37 dhe 38 nga ana e gazetarëve. Ai mbështeti vendimin për kthimin prapa të këtyre dy neneve, por ndërkohë nuk hezitoi të flas ashpër për ish kolegët.
Ndryshe, në seancën e sotme zëvendëskryeministrja Edita Tahiri do të paraqitet në interpelancë lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, në Bruksel. (LajmeShqip.com)
Thursday, 10 May 2012 11:38