Athinë – Flaka e pishtarit për Lojërat Verore Olimpike 2012 në Londër do të ndizet në Olimp të Greqisë, ku janë mbajtur Lojërat e para Olimpike 2 mijë e 800 vjet më parë.
Në ceremoninë e së enjtes, një aktore e veshur si një priftëreshë e tempujve do të përdorë një pasqyrë që përqendron nxehtësinë e diellit në një pishtar në orën 12 sipas kohës lokale.
Kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Zhak Rozhe, qindra personalitete të larta dhe ish pjesëmarrës të Olimpiadës pritet të marrin pjesë në ceremoni.
Pasi që të ndizet, pishtari do të fillojë një udhëtim 2 mijë e 900 kilometrash rreth Greqisë. Më 17 maj, ai do t’iu paraqitet organizatorëve të Olimpiadës në Londër, në stadiumin Panatiac të Athinës, ku janë mbajtur lojërat e para moderne olimpike në vitin 1896. Olimpiada e Londrës hapet me 27 korrik. (LajmeShqip.com)
Thursday, 10 May 2012 11:03