Kukës – Një zjarr i rënë prej dy ditësh në masivin pyjor të zonës së Malziut të rrethit të Kukësit vazhdon të zgjerohet duke shkaktuar shqetësimin e banorëve të fshatrave përreth.
Ne kemi ndërhyrë, por deri tani nuk kemi mundur ta shuajmë, ndërsa zjarri po zgjerohet”, thotë kryetari i komunës së Malziut, Astrit Dobroshi.
Zjarri i rënë në një masiv të thellë mendohet se ka qene nga pakujdesia e ndonjë kalimtari, apo nga pakujdesia e barinjve. Pavarësisht se pjesa më e madhe e masivit pyjor të kësaj zone është në përdorim të komunës, në këtë periudhë kur rreziku i rënies së zjarreve është në rritje, është e domosdoshme ndihma e specialistëve të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor të rrethit.
Ndërkohë, edhe pse ende temperaturat nuk janë shumë të larta, shfaqja e rasteve të rënies së zjarrit evidenton domosdoshmërinë e bashkëpunimit të pushtetit vendor me ndërmarrjen e shfrytëzimit pyjor me synimin e parandalimit të zjarreve.
Për këtë nuk mjafton ngritja e grupeve të sinjalizimit, apo grupeve të shuarjes së zjarreve, por efektiviteti i tyre në parandalimin e zjarreve. Këtë e tregon edhe fakti se edhe pse është nisja e stinës së nxehtë, deri tani janë regjistruar 4 raste zjarresh.
Thursday, 10 May 2012 09:35