Prishtinë – Me rastin e ditës së Evropës, përfaqësuesi i BE-së mbajti një ligjëratë në kolegjin universitar ISPE, ku para studentëve tha se Kosova ka hyrë në një proces të rëndësishëm për t’u bërë pjesë e BE-së.
“Qeveria dhe populli i Kosovës e dinë mirë se në çfarë situate është veriu i Kosovës, prandaj duhet të gjendet rruga më e mirë se çfarë duhet bërë”, tha shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Sa i përket planit për veriun e Kosovës, ai tha se janë institucionet e Kosovës, që duhet të bëjnë planin e integrimit.
Zhbogar theksoi se tani është koha e duhur për të ecur përpara, drejtë Kosovës më të mirë. Ai tha se vëren frustrime si në Prishtinë ashtu edhe në veri, por në drejtime të ndryshme.
“E vëzhgoj situatën në Prishtinë dhe shoh frustrim për mos integrimin e veriut. Flas me njerëzit në veri dhe shoh frustrim për shkak të situatës atje”.
Zhbogar tha se fillimisht duhet të ketë afrim të popullata në veri, kurse diskutimet me Serbinë me siguri do të ndodhin më vonë. Ai tha se strukturat paralele të sigurisë në veri nuk janë të pranueshme dhe KFOR-i është në veri për të garantuar sigurinë ndërsa EULEX-i do të vazhdojë të ndihmojë në sundimin e ligjit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 16:59