Prishtinë -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, uron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës.
“Me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës ju dëshiroj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës urimet më të përzemërta, me bindjen e plotë që Republika e Kosovës do ta festojë këtë festë në një periudhë të afërt si shtet anëtar i Bashkimit Evropian”, thuhet në mesazhin e urimit.
Më tej theksohet se Kosova ka filluar ta përmbushë këtë ëndërr shumë shekullore me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, ndërsa shprehet përkushtimi drejt përmbushjes së kritereve dhe standardeve të nevojshme që Kosova ta zërë vendin e vet të merituar në mesin e shteteve të familjes së madhe evropiane. “9 Maji, Dita e Evropës ka një rëndësi të madhe simbolike për gjithë Evropën, por edhe për vetë Kosovën”, vlerëson kryeministri kosovar.
Kjo ditë, shton ai, shënon paqe në Evropë, themelimin e një Unioni supranacional, në shërbim të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik të Evropës dhe respektimin e diversitetit, duke e shndërruar atë në vlerë. “Republika e Kosovës si shteti më i ri në mesin e popujve të Ballkanit po punon në drejtim të krijimit dhe forcimit të vlerave evropiane në këtë rajon. Për Kosoven kjo ditë do të shërbejë si simbolikë shumë domethënëse e zhvillimit të rajonit si tërësi në frymën evropiane, bashkëpunimit reciprok ndër-shtetëror, bazuar në parimet fundamentale të barazisë mes popujve, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, për ecjen drejt një të ardhme prosperuese për të gjithë popujt tanë”, thekson Thaçi.
Sipas kryeministrit Thaçi, “tashmë Kosova po hyn në nja fazë të re, në fazën e zhvillimit ekonomik dhe konsolidimit të institucioneve demokratike. Me përfundimin e Studimit të Fizibilitetit dhe nënshkrimit të Marrëvshjes së Stabilizim-Asocimit këtë vit do të arrijë të kalojë nga shteti potencial në shtet kandidat për integrim në BE”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 15:19