Itali – Një ndër këngëtarët më të famshëm të të gjitha kohërave të muzikës italiane, që vjet pati jo pak telashe me shëndetin, ka njoftuar se së shpejti do të martohet. Mediat italiane raportojnë se Vasco Rossi ka vendosur më në fund të lidhë kurorë me partneren e tij Laura Schmidt. Por kjo nuk do të jetë një nga ato ceremonitë madhështore të VIP-ave, pasi së fundmi shumë prej tyre zgjedhin vetëm ceremoni private.
Kështu do të jetë edhe kjo e Rossi-t, i cili në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka lajmëruar për martesën e tij dhe se do të jetë një ceremoni civile tepër private. Kjo është një ndër ato martesat e rralla pasi çifti bashkëjeton prej 25 vitesh dhe vetëm këtë javë kanë zgjedhur të lidhin kurorë. Këtë njoftim këngëtari e ka shoqëruar me dy imazhe të tyre që tregojnë për një çift tepër të lumtur e që duket se kanë jetën perfekte.
Laura Schmidt, me të cilën Rossi jeton prej 25 vitesh, është një milaneze me origjinë gjermane. Ajo është 17 vjet më e re se këngëtari italian. Në një intervistë të hershme të vitit 1996 për “Corriere della Sera” ajo pati deklaruar: “Ai ka qenë i pari dhe i vetmi mashkull në jetën time. Jam rritur me të dhe kam mësuar gjithçka prej tij”.
Duke qenë një jetë e gjatë bashkë, kur është pyetur për tradhtinë, Laura është përgjigjur: “Nëse do kishte ndonjë aventurë s’di të them se si do të reagoja, sepse për këto gjëra mendoj që është më mirë të mos e dish kurrë çfarë ndodh”. Fryt i bashkëjetesës është edhe djali i tyre 21-vjeçar, Luca.
Wednesday, 09 May 2012 14:30 