Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se do të shprehë qëndrimin e tij në lidhje me presidentin e ri të vendit pas kthimit nga punimet e Samitit të Çikagos.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se ky samit është mjaft i rëndësishëm prandaj dhe vëmendja duhet të përqëndrohet atje. “Unë e kuptoj që mendjen e keni tek ethet presidenciale, kësaj radhe janë bërë shumë të forta, kanë përfshirë edhe gazetarët. Kanë zbritur edhe në nivele analistësh dhe gazetarësh, unë i përshëndes dhe them se nuk ka ëndërr më të bukur se ëndrra presidenciale.
Me presidentin do merrem pas kthimit nga Samiti i Çikagos, duke respektuar procedurën dhe ky është një angazhim që e kam deklaruar dhe do vazhdoj ta respektoj”, nënvizoi Berisha. Samiti i Çikagos do të zhvillohet në datat 20-21 maj, ku do të marrin pjesë krerët e shumë shteteve dhe qeverive, anëtare të NATO-s. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 16:15