Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 13:55

Tiranë -Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në vijim të vizitës së saj zyrtare në Slloveni, u takua me Presidentin Danilo Turk, ku vlerësoi raportet shumë të mira politike mes dy vendeve si dhe krijimin e hapësirave për një bashkëpunim të fortë ekonomik.  

Presidenti slloven vlerësoi zhvillimet pozitive që vendi ka shënuar kohët e fundit në procesin e integrimit,  duke e konsideruar Shqipërinë një kandidat kredibël në Bashkimin Evropian, me zhvillim ekonomik pozitiv, stabilitet politik dhe ndikim konstruktiv në rajon.
Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria është e vendosur të punojë fort për të përmbushur aspiratën evropiane të shqiptarëve.

Në vijim të vizitës zyrtare në Slloveni, kryetarja Topalli u takua dhe me kryeministrin slloven, Janez Jansa. Kryeministri Jansa e cilësoi të rëndësishme ngritjen e urave për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. “Në rastin më të parë  unë do të vizitoj Tiranën, në këtë frymë ishte edhe hapja e ambasadës sllovene në Tiranë.

Duke theksuar se Sllovenia mbetet  një  vend mbështetës e i palëkundur i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në veçanti i Shqipërisë, kryeministri slloven tha se është koha që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat si një hap konkret përpara në integrimin në BE dhe të vijojë me hapjen e negociatave.

“Unë sot nisem për Gjermani dhe do të flas me kancelaren gjermane për progresin e bërë nga ana  juaj. Shpresoj  edhe vendet e tjera të BE-së të jenë të një mendimi. Shqipëria është një vend në NATO, me një rol konstruktiv dhe ndikues në rajon. Brukseli duhet të ketë një politikë meritë për ato vende që nuk  krijojnë probleme. Ne e mbështetëm fort lëvizjen e lirë  të shqiptarëve si një dimension për një Evropë të hapur që heq kufijtë për qytetarët tanë”, u shpreh  Jansa. (LajmeShqip.com)