Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 13:23

Tiranë – Partitë e vogla, në një tryezë të mblodhur të mërkurën, i bënë apel dy partive të mëdha, PD dhe PS, që t’i përmbahen marrëveshjes së nënshkruar nga 26 partitë politike për amendimin e kodit zgjedhor.

Në fjalën e tij, një nga inicuesit e draftit, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kërkoi që komisioni i reformës zgjedhore të marrë sa më parë në shqyrtim propozimet e tyre. Ai i kërkoi dy partive të mëdha që t’i shikojnë me përgjegjësit korrektimin e sistemit kombëtar dhe të mos kryejnë amendime sa për të kaluar radhën, por një ndryshim që duhet të pasqyrojë forcën e partive të vogla dhe mbi të gjitha barazinë e votës që qytetarëve.

Ndërsa kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se “ajo që ne kërkojmë është që  vendimi që kemi marrë me 26 partitë të shqyrtohet, dhe dy partitë e mëdha së bashku të realizojnë detyrimin e tyre”.

I pranishëm në tryezën e sotme dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, konfirmoi se forca politike që ai përfaqëson i qëndron plotësisht marrëveshjes së nënshkruar pak kohë më parë. “Të gjithë duhet t’u qëndrojmë firmave të hedhura, në radhe të parë drejtuesit e PS-së dhe PD-së”, tha Meta. (LajmeShqip.com)