Tiranë – Presidenti Bamir Topi dekoroi sot paradite një prej figurave më të shquara në fushën e albanologjisë, personalitetin fetar me një kontribut të rëndësishëm si përkthyes, historian e filozof, At Zef Valentinin (Pas vdekjes), me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Në ceremoninë zyrtare merrnin pjesë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Ambasadori i Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues të bashkësisë katolike, albanologë, historianë e studiues. Presidenti Topi i dorëzoi përfaqësuesit italian të urdhrit fetar të jezuitëve Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në nderim të At Zef Valentinit (Pas vdekjes), me motivacionin “Albanologut të shquar që ia kushtoi jetën studimeve mbi Shqipërinë, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndriçimin e problemeve të etnicitetit, të kulturës dhe historisë së saj, çka ndihmoi në njohjen e shqiptarëve në qarqet intelektuale dhe politike në Evropë, e më gjerë”.
Në fjalën e tij, Presidenti Topi u shpreh se “me një formim profesional elitar, At Valentini pati një angazhim direkt më se 20-vjeçar në jetën publike shqiptare dhe gati 30-vjeçar nga Italia, duke qenë njëherësh një mësues shembullor, studiues i aftë dhe krijues me kontribute të mëdha në dokumentimin e historisë dhe traditës zakonore ende të panjohur sa duhet për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Ndërsa Vili Kamsi, ambasadori i parë shqiptar pranë Selisë së Shenjtë, në vitin 1992, u shpreh se “At Valentini ishte i ndërgjegjshëm për misionin e vet, ku, bashkë me zotimin e tij primar për fenë, vuri dhe atë për atdheun e tij të dytë, Shqipërinë, duke u marrë qysh në fillim me studimin e gjuhës shqipe, e pastaj, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën shkencore të Shqipërisë, me një trashëgimi të pasur e tradita historike”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 07:01