Lajme Shqip Wednesday, 09 May 2012 09:02

Nju-Jork – I dërguari i posaçëm i KB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan sot para Këshillit të sigurimit deklaroi se plani i tij paqesor për Sirinë ndoshta është “mundësia e fundit që të shmanget lufta civile”.

Anan, përmes video-lidhjes nga Gjeneva, theksoi se ushtria siriane shfrytëzon armatim të rëndë, por se edhe më tej është e sistemuar nëpër qytete të mbarë vendit, ndërsa luftimet vazhdojnë, si dhe arrestimet masive.

Diplomatët të cilët ishin të pranishëm në mbledhjen e mbyllur theksuan se Anani ka potencuar se plani i tij nuk është mundësi e pakufizuar e përkohshme për presidentin sirian Bashar al Asad.

Ndërkaq udhëheqësia e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq njoftoi sot se konflikti në Siri po shndërrohet në luftë guerile, në të cilën po kryhen sulme nga prita dhe sulme me bombë, në vend që të zhvillohen përleshje frontesh.

Organizata humanitare paralajmëroi se mbi 1,5 milionë sirianë kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë dhe vendstrehim.

Kryetari i Kryqit të Kuq Jakob Kelenberger deklaroi se mijëra sirianë jetojnë në ndërtesa shoqërore ose në shtëpitë e njerëzve të tjerë dhe se Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe sigurojnë ushqim për rreth 100.000 sirianë. (LajmeShqip.com)