Lajme Shqip Tuesday, 08 May 2012 20:38

Tiranë -Gjatë një konference për shtyp paraditen e sotme, në Qendrën e Informimit të BE-së në Tiranë, Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Seqiu prezantoi aktivitetin që do të zhvillohet nesër në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza”.

“Integrimi në BE nuk do të thotë vetëm diskutim politikë, por edhe gjëra që kanë të bëjnë me diskutimet tona për jetën e përditshme, me të jetuarin në mënyrë të shëndetshme, me përgatitjen e një ambjenti të pastër”, tha Sequi duke shtuar se shpreson në një përfshirje të madhe të qytetarëve të Tiranës. Sipas Ettore Seqiu, dita e nesërme promovon mbrojtjen e ambjentit dhe të jetuarin në mënyrë të shëndetshme, në kudër të të cilës do të zhvillohet vrap dhe çilizëm.

E pranishme në konferencë, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu shprehu besimin që nesër në vrap të ketë sa më shumë njerëz si një symbol i suksesshëm i rrugës tonë drejt Europës.

Në aktivitet nesër do të marrin pjesë edhe punonjësit e administratës së Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha do të jetë pjesë e ecjes me biçikletë.

Nën.kryetarja e Bashkise, Jorida Tabaku tha se asnjëherë aspiratat shqiptarëve nuk janë zbehur në rrugën drejt BE-së. “Vrapi drejt Europës”, që do të zhvillohet paraditen e nesërme në kryeqytet është aktiviteti i rradhës që Qendrën e Informimit të BE-së në Tiranë zhvillon në kuadër të “Muajit të Europës”.

9 maji festohet në forma të ndryshme në shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Europian, por jo vetëm. Për shkak të natyrës politike të ditës, ajo shihet si përpjekje për mësimin e njerëzve rreth Bashkimit Evropian dhe për të folur e diskutuar rreth tij dhe kryesisht në mbështetje të integrimit europian. (LajmeShqip.com)