Prishtinë -Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka rikthyer sot Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim Kodin Penal të Republikës së Kosovës, i miratuar në seancën plenare të Kuvendit më 20 prill 2012.
“Bazuar në kompetencat e Presidentes së Republikës së Kosovës, sipas nenit 84 pika 6 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vendimi për rishqyrtimin e Kodit Penal u mor pasi u vlerësua se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve si dhe me Nenin 22, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj”, thuhet në komunkatën nga Presidenca.
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës mirëpriti vendimin e Presidentes Jahjaga që të kthejë Kodin e Ri Penal në Parlamentin e Kosovës, duke vlerësuar se “me një vendim të tillë është shpëtuar liria e shtypit në Kosovë, e cila rrezikohej seriozisht nga përmbajtja e Kodit aktual”. Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës përshëndet vendimin e Presidentes, duke e konsideruar si “një vendim të arsyeshëm dhe të domosdoshëm, për të mundësuar lirinë medieve dhe zhvillimin e tyre”.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer, mirëpriti sot vendimin për të kthyer për rishikim në Kuvendin e Kosovës dispozita të caktuara të kodit të ri penal, të cilat kërcënojnë të zvogëlojnë lirinë e mediave. Sipas Almhofer, “neni 37 i veçon mediat dhe gazetarët nga të gjithë personat e tjerë apo entitetet ligjore të cilët potencialisht mund të kryejnë një vepër penale, duke shpërndarë disa lloje të caktuara të informatave. Për më tepër, ai lejon që një person të mbajë përgjegjësi penale për ndonjë keqbërje të një personi tjetër”.
Freedom House edhe këtë vit e ka vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, por me një përparim modest, duke i dhënë notën 49 nga 51 që e kishte vitin e kaluar. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 19:15