Lajme Shqip Tuesday, 08 May 2012 17:48

Tiranë – Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u takua të martën në Hotel Rogner me ish-kryeministrin socialist Fatos Nano dhe kandidat i vetëshpallur për postin e presidentit të ri të Republikës, në kuadër të prezantimit nga ky i fundit të platformës për garën e ardhshme presidenciale.

Pas takimit, kryetari republikan tha për mediat se kandidatët për president qëndrimin e tyre duhet ta bëjnë të njohur jo vetëm përballë politikës, por dhe përballë opinionit, pasi posti i Presidentit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, që ka të bëjë me jetën e vendit, por dhe me proceset integruese. “Dua të theksoj se në vlerësimin e të gjithë kandidaturave, përfshi këtu dhe Nanon, qëndrimi lidhet dhe me diskutimet brenda maxhorancës. “Është shumë e rëndësishme, meqë jemi brenda një familje të maxhorancës, që disa gjëra t’i diskutojmë brenda kësaj familje dhe pastaj të komunikojmë dhe me ‘fqinjët’ tanë. “, tha Mediu.

Ish-kryeministri Fatos Nano e vlerësoi takimin e sotëm me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu si një vlerë e shtuar në kuadër të procesit publik të konsultimeve për garën e ardhshme presidenciale.

“Pas takimit me Mediun po i afrohem atij me kryeministrin, i cili pa dyshim ka një rëndësi të dorës së parë në konsultimet e mia. Më vjen mirë dhe dua ta përshëndes publikisht këtë fakt, se filluan takimet dhe mes kryetarëve të partive parlamentare shqiptare, siç ishte takimi Rama-Meta dhe besoj se të gjithë janë të përfshirë në trasenë e duhur për t’i sjellë një klimë më të mirë vendit”, u shpreh Nano

I pyetur në lidhje me pritshmëritë nga takimi me kryeministrin Berisha, Nano u përgjigj me “një vlerësim shumë të përgjegjshëm, sepse kryeministri është edhe kryetari i maxhorancës qeverisëse dhe ka një rol specifik në krijimin e konsensusit për zgjedhjen e presidentit”. (LajmeShqip.com)