Ukrainë – Ukraina ka shtyrë Samitin e Evropës Qëndrore dhe Lindore të lidërve evropianë, i planifikuar që të mbahej këtë javë, pasi shumë prej tyre deklaruan se do ta bojkotonin atë.
Shqetësimi mbarë evropian lidhur me keqtrajtimin në burg të udhëheqëses së opozitës Julia Timoshenko, bëri që të nxitej apeli për bojkot të samitit, i cili do të mbahej në Jaltë më 11-12 Maj.
Zonja Timoshenko ka deklaruar se ka dhimbje kronike në kurriz dhe se është në grevë urie. Presidentët e Gjermanisë, Austrisë, Rumanisë dhe Republikës Çeke janë mes atyre që kanë anuluar udhëtimin e tyre drejt samitit.
Ndërkohë që Ukraina s’ka vendosur ende një datë të re për mbajtjen e samitit, ekziston mundësia e një kërcënimi tjetër nga liderët evropianë, atë të bojkotimit të Euro 2012-ës, ndeshjet e së cilit janë parashikuar të mbahen në muajt e ardhshëm në Ukrainë.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme në Ukrainë, Oleksandr Dykusarov është shprehur: “Duke qënë se një numër i krerëve të shteteve evropiane nuk mund të marrin pjesë në samitin e 18-të, Ukraina e shtyn samitin e 11-12 Majit”.
Timoshenko, e cila është duke vuajtur dënimin me 7 vite burg në Kharkiv nën akuzat për abuzim me pushtetin kur ishte kryeministre, ka refuzuar të marrë mjekim në një spital lokal. Ajo deklaron se është keqtrajtuar nga rojet e burgut dhe akuzat ndaj saj i ka cilësuar si hakmarrje të rivalit të saj politik, presidenti Viktor Yanokovych.
Tuesday, 08 May 2012 16:00