Lajme Shqip Tuesday, 08 May 2012 15:00

Los Angelos – Aktorët hollivudianë Johnny Depp dhe Michelle Pfeiffer kanë parakaluar këtë fillim jave në tapetin e kuq të premierës së filmit të tyre të fundit “Dark Shadows”. Të dy aktorët janë shfaqur bashkë për të promovuar filmin melodramë, që ndryshe është cilësuar si një komedi por me vampirë.

Nga premiera e filmit, Johnny Depp një ndër aktorët më të paguar të Hollivudit ka deklaruar: “Ky film dhe të qenit pjesë e tij më ka dhuruar një emocion të jashtëzakonshëm. Më ndodh rrallë që të kem dëshirë të shoh filmat e mi, por këtë film realisht kam dashur që ta shoh”.

Me regjisor Tim Burton, aktori Depp interpreton rolin e Barnabas Collins në filmin “Dark Shadows”, një playboy i famshëm, për rrjedhojë edhe tepër i pasur dhe i pathyeshëm, por ama deri në momentin që bën gabimin më të madh të jetës së tij, që lejon veten të dashurohet me Angelique Bouchard, rol i cili interpretohet nga Eva Green.

Në këtë produksion, një ndër të fundit e Hollivudit, protagoniste janë gjithashtu edhe dy aktoret e famshme, Michelle Pfeiffer dhe Helena Bonham Carter.

Filmi “Dark Shadows” do të dalë nëpër kinematë e gjithë botës që prej 11 Majit.