Prishtinë – Strategjia e Qeverisë për veriun e Kosovës, duhet të rishikohet në atë mënyrë që të gjendet forma më e mirë për integrimin e qytetarëve të veriut, tha për Radio Kosovën, zëvendësministri i Punëve të Brendshme Izmi Zeka. Ai i bëri këto komente, duke u përgjigjur në deklaratat që përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar i bëri një ditë më parë, ku kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të ketë një agjendë për veriun, përmes të cilës, serbët e veriut do ta pranonin realitetin e krijuar në Kosovë. Zëvendësministri Zeka tha se Qeveria ka pasur strategji, por ajo duhet të rishikohet.
“Qeveria e Kosovës edhe më herët e ka pasur një strategji për veriun, por duke pasur parasysh ndryshimet edhe në Kosovë edhe në rajon, ne do të shikojmë që atë strategji që e kemi pasur në një mënyrë ta rishikojmë dhe të gjejmë një mënyrë më të mirë dhe më të përshtatshme dhe ju përshtatet interesave të qytetarëve të Kosovës, natyrisht edhe të pjesës veriore”
Kryetari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, Ahmet Isufi, thotë se një strategji e tillë nuk është zbatuar asnjëherë, prandaj kërkohet një plan i realizueshëm për veriun. Ai tha se duhet të ndërmerren masa të shpejta, në mënyrë që mos lejohet që çështja e veriut të Kosovës, të jetë temë në bisedime qoftë me Serbinë apo me këdo tjetër.
Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, një ditë më parë tha se Qeveria e Kosovës duhet të përgatis një agjendë për veriun, në mënyrë që serbët atje ta pranojnë realitetin e ri në Kosovës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 13:28