Lajme Shqip Tuesday, 08 May 2012 13:03

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit sot me firmat private që ndërtojnë me konçension hidrocentrale vendore, siguroi se “qeveria, energjinë në tërësi dhe atë të rinovuar në veçanti, e ka prioritetin më madhor”, ndërsa premtoi se do të bëjë çdo përpjekje brenda ligjeve për suksesin e tyre. “Ne konsiderojmë potencialin hidrik si pasuri mbi të gjitha pasuritë e kësaj toke dhe shfrytëzimin racional të ujrave në veçanti, si përparësia më madhore, ndaj jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë”, tha Berisha.

Nisur nga fakti se energjia është problemi më madhor në Europë dhe botë, Berisha shprehu se “me ambicjen për një Shqipëri të zhvilluar, qeveria bën gjithçka për zhvillim të qëndrushëm, ku shtyllë është energjia jeshile”, duke kërkuar që gjithë ujërat që derdhen në det duhet të prodhojnë energji, pasi vendi e ka këtë potencial ujor.

Kryeministri vlerësoi efektet që ka dhënë zbatimi i ligjit “Për  koncensionet”. “Ne ja dolëm të firmosim me ju mbi 120 kontrata për ndërtimin e rreth 320 hec-eve dhe interesi mbetet i madh për të tjerët”, tha ai. Kryeministri u ndal tek vështirësitë e ndryshme burokratike me të cilat përballen firmat koncensionare dhe njoftoi reduktimin e lejeve dhe licencave nga 22 që janë sot, në vetëm 12 të tilla pas verifikimit të kryer së fundi nga Task Force rregullatore. “Vendosëm t’i reduktojmë në 12 dhe të funksionojë One Stop Shop edhe për ju”, tha Berisha, që ndër lejet dhe autorizimet që do të mbeten, cilësoi kërkesat për identifikimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, zonat e mbrojtura, mosprekjet e zonave të trashëgimisë kulturore, zonat arkeologjike, etj.

“Do t’ju dëgjojmë ju dhe sygjerimet tuaja se si mund t’ju lehtësojmë më shumë”, tha Berisha  ku cilësoi vendimin e fundit të qeverisë për t’ja kaluar me 1 euro të gjitha pronat publike për veprat energjetike si dhe vendimin, ku përballë cdo burokracie, heshtja është miratim.

Përfaqësues të bizneseve në ndërtimet me koncension të HEC-eve lokale kërkuan shtyrje të afateve kohore për shkak të vonesave që vërehen në hallka shtetërore, vendosjen e marrëdhënieve më të mira me KESH-in, OST, etj, pasi kanë vështirësi me linjat e transmetimit të energjisë, etj. (LajmeShqip.com)